Zjarr pa Flakë: Si e “Dogji” Juria Europiane Shkodrën Elektronike?

4 Min Lexim

Në një kontinent ku sirenat elektronike buçasin më shumë se kurrë, ku skenat mbulojnë zbrazëtinë kreative me tym, laser dhe rrotullime balerinash me shkëlqim, Shqipëria vendosi të çojë… një revolucion. Jo një baladë me ylber mbi luginë, jo një këngë dashurie të ngjirur në fa# minor — por Shkodrën Elektronike, një akt që s’ta fal dot përgatitjen, por që të fal zjarr.

Dhe ja ku ndodhi çudia e bukur: publiku evropian, i lodhur nga patetizmi plastik dhe nota që ngjajnë si prodhim i një printeri muzikor 3D, ra në dashuri me “Zjerm”-in. 173 pikë. Njerëz që votojnë me zemër. Ndërkohë, diku në dhoma të ftohta me tabela pikësh dhe kufje të ndjeshme ndaj çdo shkeljeje të “shijes muzikore evropiane”, juritë profesionale rrudhnin hundën. 45 pikë. Sa për të thënë “hë pra, mos u mërzisni, ju hodhëm edhe juve disa thërrime”.

Në një garë që supozohet të festojë diversitetin, Shqipëria ishte ndoshta ndër të vetmet që solli vërtet diçka ndryshe. Dhe për këtë, u ndëshkua me një buzëqeshje të ngrirë nga ata që supozohet të kuptojnë artin. Publiku e dëgjoi zemrën. Juria dëgjoi… ligjin e pashkruar.

Këtu lind pyetja që kërkon një përgjigje më të thellë se basat e “Zjerm-it”: si ka mundësi që një performancë e vlerësuar nga publiku si një ndër më të mirat, shpërfillet me një indiferencë që kufizohet me ironinë nga ata që supozohet të kuptojnë artin? Ose juritë janë shumë elitiste për të pranuar që edhe Shqipëria mund të sjellë diçka “cool”, ose janë thjesht të lodhur nga çdo gjë që nuk ka një violinë ose një fustan që fryhet me erën e skenës.

Por kjo nuk është hera e parë që Shqipëria përjeton ndarje mes votës së publikut dhe gjykimit “profesional”. Diferenca këtë herë ishte thjesht më e qartë, më brutale, më… elektronike. Në vend që të vlerësohet guximi, origjinaliteti dhe shija alternative që Shkodra Elektronike solli, u vu re një tendencë për ta anashkaluar, sikur të ishte një eksperiment i pazakontë në një laborator ku “ekspertët” nuk duan surpriza.

Kjo ndarje mes publikut dhe jurisë tregon një realitet të hidhur: Eurovisioni është bërë gjithnjë e më pak për njerëzit dhe gjithnjë e më shumë për “standardin” që dikush, diku, në një tavolinë të gjatë me mikrofona, ka vendosur të jetë “muzikë cilësore”. E në atë standard, një grup shqiptar që këndon për zjarrin me sintetizatorë, nuk paska vend.

Dhe megjithatë, Shkodra Elektronike fitoi zemrat e audiencës. Dhe kjo është më shumë se çdo trofe, më shumë se çdo “12 points”. Shqipëria nuk mori vendin e parë, por fitoi diçka më të rrallë: respektin e publikut evropian dhe ndoshta, më në fund, një identitet muzikor që i shkon për shtat shekullit 21.

Kush tha që “Zjerm-i” nuk e dogji skenën? E dogji, por vetëm se juritë s’kishin sy të shihnin flakën!

Një opinion i sinqertë nga E.K

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente