Vizita e Starmer në Tiranë/Mediat britanike: Objektivi kryesor, kthimi i emigrantëve në Shqipëri

2 Min Lexim

Kryeministri britanik Keir Starmer mbërrin sot në Shqipëri për një vizitë zyrtare, e para e këtij niveli nga një lider britanik në vendin tonë.

Megjithatë, sipas asaj që shkruan tabloidi britanik The Sun, përtej mesazheve zyrtare, vizita ka një qëllim shumë të qartë: diskutimin e planeve për kthimin në Shqipëri të emigrantëve shqiptarë që kapen duke hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Gazeta raporton se Starmer do të zhvillojë bisedime me autoritetet shqiptare, në përpjekje për të vendosur një marrëveshje që synon përpunimin dhe kthimin e emigrantëve, një model i ngjashëm me atë që Italia po përpiqet të zbatojë me Shqipërinë. Sipas The Sun, pavarësisht anulimit të planit të mëparshëm për deportime në Ruandë, autoritetet britanike janë të vendosura të ndjekin alternativa të tjera, përfshirë dërgimin e emigrantëve në vende të Ballkanit si Shqipëria.

Një vit më parë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni konfirmoi se Starmer kishte treguar interes për marrëveshjen e Italisë me Shqipërinë, e cila ndërkohë është përballur me sfida ligjore.

Në Tiranë, përpara samitit evropian të së enjtes, Starmer pritet të takohet me homologun shqiptar Edi Rama, me të cilin do të shpallë masa konkrete kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Një prej këtyre masave përfshin përdorimin e teknologjisë britanike, si dronët, për të ndihmuar në monitorimin e rrjeteve kriminale që operojnë në rajon.

Vizita vjen në një moment kur fluksi i emigrantëve që kalojnë Kanalin nga Franca drejt Britanisë ka shënuar një rritje të ndjeshme me afro 12,700 kalime deri tani këtë vit, një shtim prej 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Starmer, nga ana e tij, ka deklaruar më herët se do të shqyrtojë çdo alternativë të mundshme për të frenuar emigracionin e paligjshëm dhe për të dekurajuar udhëtimet e rrezikshme me gomone drejt brigjeve britanike.

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente