Dy shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesëtarë të një organizate kriminale të akuzuar për krime të rënda, janë ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë. Ky zhvillim u arrit falë një bashkëpunimi të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Mes të ekstraduarve është edhe Dashnor Dumani, 40 vjeç, për të cilin Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” që prej vitit 2024. Ai akuzohet për disa vepra të rënda penale, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal:
Vrasje në rrethana cilësuese, Vjedhje me armë, Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve luftarake, lëndëve shpërthyese dhe municionit.
Sipas hetimeve, Dumani dyshohet se në vitin 2018 ka qenë ekzekutori i vrasjes së tre shtetasve – E.A., A.D. dhe E.D. – në fshatin Bradashesh. Po ashtu, në vitin 2019, në bashkëpunim me një tjetër të dyshuar, A.N., ai ka marrë pjesë në djegien e një automjeti të përdorur gjatë grabitjes me armë të një shume të konsiderueshme parash në zonën e Rinasit.
Autoritetet shqiptare njoftojnë se ekstradimi i këtyre personave shënon një tjetër hap të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë.