Vazhdon skandali me mishin Salmonela në Shqipëri! Kapen ngarkesa në doganë

2 Min Lexim

Skandali me mishin e importuar të kontaminuar me salmonelë po thellohet në Shqipëri, teksa në qendër të vëmendjes është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU).

Dy kompani shqiptare kanë tentuar së fundmi të fusin në vend ngarkesa mishi nga importi, të cilat, pas analizave të kryera nga ISUV – laboratori i çertifikuar ndërkombëtarisht – kanë rezultuar me prezencë salmonele.

Sipas procedurave standarde, inspektori në Pikat e Kalimit Kufitar (PIK) që ka marrë mostrat ka urdhëruar kthimin e sasive të kontaminuara në vendin e origjinës. Por vendimi është anuluar nga vetë drejtori i përgjithshëm i AKU, Manush Kullolli, i cili më 20 qershor 2025 ka urdhëruar që analizat të kryhen në një laborator jashtë vendit, në një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Ky vendim bie ndesh me qëndrimin e mëparshëm zyrtar të Kullollit, i cili më 30 maj 2025 u kishte bërë me dije bizneseve se analizat nuk mund të kryhen jashtë Shqipërisë. Kjo lëvizje ka ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin e procesit dhe besueshmërinë ndaj ISUV, institucion që gëzon akreditim ndërkombëtar.

SYRI.net është në dijeni të identitetit të dy kompanive të përfshira, por nuk do t’i bëjë publike për sa kohë ngarkesat nuk janë futur në treg. Nëse mishi i kontaminuar shitet në tregun vendas, emrat do të publikohen dhe rasti do të denoncohet si shkelje e hapur e ligjit dhe rrezik i drejtpërdrejtë për konsumatorin.

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente