Prifti Kristaq Viso, i cili u rrëzua nga çatia e kishës ku shërbente para rreth dy javësh, nuk ia doli të fitojë betejën për jetën dhe ndërron jetë pas plagëve të rënda që mori gjatë aksidentit. Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 maj, kur Viso ishte duke kryer punime për riparimin dhe mirëmbajtjen e çatisë së kishës së tij. Gjatë punimeve, ai pësoi një rrëzim aksidental nga lartësia, duke marrë dëmtime serioze në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.
Pas aksidentit, prifti u dërgua fillimisht në spitalin lokal, ku gjendja e tij u konsiderua kritike. Duke qenë situata shumë serioze, kryepeshkopi Joan Pelushi ndërhyri menjëherë duke kërkuar transferimin e Kristaq Visos në një spital më të specializuar në Tiranë, në përpjekje për t’i siguruar kujdesin më të mirë mjekësor. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve intensive të mjekëve, prifti nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë pas disa ditësh në spital.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka tronditur komunitetin lokal dhe besimtarët që e njihnin nga afër, të cilët shprehin dhimbje të thellë për humbjen e parakohshme të Kristaq Visos, një njeri i përkushtuar ndaj shërbimit fetar dhe komunitetit të tij. Kjo ngjarje nxit reflektim mbi sigurinë në punët në lartësi dhe rëndësinë e masave parandaluese për të shmangur aksidente të tilla tragjike.