Një episod i veçantë tërhoqi vëmendjen e të gjithëve dhe që u bë viral, ishte puthja që i dhuroi një tifoz shqiptar gazetarit serb Milan Boskoviç, teksa ai ishte në transmetim të drejtpërdrejtë.
I ftuar në emisionin “Wake Up”, Boskoviç foli rreth eksperiencës së tij në Tiranë duke e përshkruar atë si fantastike. Ai tha se njerëzit ishin të ngrohtë dhe pozitivë, e megjithatë nuk nguroi të thoshte se e ndjeu dhe tensionin politik pavarësisht se mes dy vendeve po luhej vetëm futboll.
“Ishte një puthje e lezetshme. Përtej humorit, është pjesë e profesionit. Nuk është hera e parë që më ndodh. Kur kam qenë në Rusi duke raportuar për Kupën e Botës, më kanë ardhur dy tifozë njëherësh duke më puthur në të dyja faqet. Por është një gjest i bukur. Unë nuk e di nëse zotëria e dinte nga isha unë me origjinë, por është sinjal i mirë që ne mund të kalojmë shumë mirë së bashku e të luajmë futboll.
E prisja të bëhej virale sepse gjëra të tilla ecin, por më shumë është virale në Shqipëri pasi në Serbi mediat ishin të fokusuara për atmosferën në stadium dhe nuk i kushtuan shumë rëndësi. Gjithsesi kam patur dhe momente të tjera në zona të tjera të Tiranës, ku kam qenë i rrethuar nga tifozë. Nuk do e them këtu se çfarë thoshin apo çfarë gjestesh bënin. Jam i lumtur që gjëra të tilla bëhen virale sepse është moment i bukur.
Nga Tirana u largova me përshtypjet më të mira. Nuk kisha qenë asnjëherë më parë. Tirana është qytet shumë i bukur dhe njerëzit janë shumë të ngrohtë. Bëra disa kërkime dhe lëviza në qytet. Tirana ishte ndryshe nga atmosfera e ndeshjes, sepse e kuptoje që kishte njerëz që nuk ishin nga Shqipëria dhe kishin ardhur në Tiranë për arsye politike dhe jo për futboll, por unë do i lë të gjitha këto mënjanë dhe do mbaj përshtypjet e mira. Ishte një befasi sepse njerëzit janë shumë pozitivë. Unë sigurisht nuk erdha me paragjykime, është një qytet i zakonshëm si shumë të tjerë. E kisha Tiranën në listë dhe jam i lumtur që e vizitova më në fund.”
Gazetari serb nuk anashkaloi pretendimet se 3 lojtarë serb u goditën nga tifozët tanë.
Mediat serbe sot janë të fokusuara tek ndeshja me Andorrën, por ka ende reagime për ndeshjen me Shqipërinë. Por ishte e qartë që kishte shumë tension sepse kishte njerëz që kishin shkuar në stadium për politikën dhe jo stadiumin. Kishte objekte që u hidheshin lojtarëve, u qëlluan 3 lojtarë dhe ju duhet ta pranoni këtë gjë. Fatmirësisht ndeshja nuk u ndërpre siç ndodhi në Beograd 11 vite më parë. Për mua lojtarët e të dyja ekipeve janë heronjtë e vërtetë sepse patën një sjellje shumë profesionale. Nuk kishte asnjë incident. Duhet të ndjekim shembullin e tyre sepse të paktën për mua, aty ishim për futboll dhe jo për politikë.
Për ndeshjen e tetorit, nuk pres tensione të mëdha sepse tashmë kemi tensione brenda vendit. Varet dhe nga rezultati por gjithsesi mund të ketë incidente të vogla. Gjithsesi duhet të kuptoni që në Serbi tifozët janë më pasionantë për klubet se sa për kombëtaren. Gjithsesi nuk mund të bëj parashikime. Ndeshja do zhvillohet në Beograd dhe pritet që stadiumi të jetë i mbushur me tifozë.”– tha ai.