Mediat austriake kanë publikuar fotot e autorit të një prej sulmeve më tragjike në historinë e fundit të Austrisë, një 21-vjeçar që vrau 10 persona – nëntë nxënës dhe një mësues – përpara se t’i jepte fund jetës së tij. Në një prej fotove, i riu shfaqet i vetëm, ndërsa në një tjetër shihet duke mbajtur në krahë macen e tij të vogël, për të cilën kishte një lidhje të veçantë.
Autori jetonte me nënën e tij në Kalsdorf, pranë qytetit Graz. Babai i tij është me origjinë armene. Sipas burimeve të “Kronen Zeitung”, në dhomën e tij është gjetur një shënim vetëvrasjeje ku ai shprehte zhgënjimin e thellë për dështimet e tij në shkollë dhe ndjenjën e fajit që kërkonte ta projektonte te të tjerët. Thuhet se ai kishte ngecur disa herë në të njëjtën klasë, çka kishte ndikuar në gjendjen e tij mendore.
Pak para sulmit, i riu kishte regjistruar një video lamtumire me celularin e tij dhe ia kishte dërguar nënës, duke i kërkuar falje për veprimet që do të kryente dhe duke e falënderuar për kujdesin e dhënë ndër vite. Fatkeqësisht, nëna e tij e hapi videon vetëm 24 minuta më vonë – kur gjithçka kishte përfunduar tragjikisht.
Në letrën që la pas, ai akuzonte shkollën për bullizëm dhe kërkonte që të kujdeseshin për macen e tij – një detaj prekës që pasqyronte gjendjen e brendshme të të riut. Hetimet për motivet dhe rrethanat e plota të ngjarjes vijojnë ndërkohë që vendi është në zi dhe tronditje.
