Radio Televizioni Shqiptar ka konfirmuar se është bërë objekt i një sulmi kibernetik që ka prekur uebsajtin zyrtar dhe llogaritë e tij në rrjetet sociale. Përmes një njoftimi publik në Facebook, RTSH ka deklaruar se po punon për rikthimin e sigurisë dhe fshirjen e postimeve të paautorizuara.
“Llogaria jonë ka qenë subjekt i një sulmi kibernetik, duke shkaktuar postime të paautorizuara. Po punojmë për të rikthyer sigurinë dhe për të fshirë çdo përmbajtje të papërshtatshme. Ju këshillojmë të mos ndërveproni me postimet e dyshimta dhe të raportoni çdo aktivitet të pazakontë,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Ndërkohë, disa media në Kosovë raportojnë se pas sulmit qëndrojnë hakerë serbë, të cilët kanë publikuar lajme të rreme në faqen zyrtare të RTSH-së, përfshirë tituj si “Shqipëria tërheq njohjen e Kosovës” dhe “Kosova është Serbi”.
Autoritetet përkatëse pritet të hetojnë më tej për të zbuluar autorët dhe qëllimet e këtij sulmi.