Sot në Bruksel: Shqipëria hap Grupkapitullin e Konkurrueshmërisë në Konferencën e Pestë Ndërqeveritare

2 Min Lexim

Shqipëria hap sot një tjetër kapitull të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Europian me mbledhjen e pestë ndërqeveritare në Bruksel, të udhëhequr nga ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani.

Në fokus të kësaj faze është hapja e Grup Kapitullit të Katërt, që përfshin tema kyçe si konkurrueshmëria, rritja gjithëpërfshirëse, politikat ekonomike, punësimi, tatimet, arsimi, kultura, bashkimi doganor, media dhe transformimi digjital. Shqipëria duhet të përafrrojë ligjet dhe politikat e saj në këto fusha me ato të Bashkimit Europian për të avancuar më tej procesin e integrimit.

Në vetëm tetë muajt e fundit, Shqipëria ka arritur të hapë gjithsej 27 fusha (kapituj dhe kritere), duke shënuar një progres të rëndësishëm. Më 14 tetor 2024, u hap Grup Kapitulli i Parë “Themeloret”, që lidhet me funksionimin demokratik dhe drejtësinë. Më 17 dhjetor 2024 u hap Grup Kapitulli i Gjashtë “Marrëdhëniet me Jashtë”, me theks në sigurinë dhe mbrojtjen. Ndërsa më 14 prill 2025, u hap Grup Kapitulli i Dytë “Tregu i Brendshëm”, që përfshin lëvizjen e lirë të mallrave, punëtorëve dhe kapitalit, përfshirë edhe mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit.

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur synimin që deri në vitin 2027 të mbyllet procesi i hapjes së kapitujve, dhe që Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian brenda vitit 2030. Ky është një hap i rëndësishëm drejt integrimit europian dhe një perspektivë e re për vendin.

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente