Një video e postuar në rrjete sociale, e realizuar në Parkun e Liqenit të Tiranës, ndezi një debat që shkoi përtej ekranit të telefonit: A janë gjyshërit kthyer në “prindërit e vërtetë” të brezit të ri?
Neda Balluku, autorja e videos, bëri thirrje që prindërit e rinj të marrin më shumë përgjegjësi në rritjen e fëmijëve dhe të mos ia lënë këtë barrë gjyshërve:
“A ka mundësi të mos ua lini kalamajtë prindërve tuaj? Ua keni shkatërruar pleqërinë!” – shprehet ajo në mesazhin e saj, që u bë viral brenda pak orësh.
Postimi i saj ngjalli menjëherë një stuhi reagimesh. Një nga zërat që kundërshtoi ashpër këtë këndvështrim ishte gazetarja Sonila Meço. Me përvojën e saj personale, ajo e cilësoi realitetin ndryshe: shumë prindër të rinj nuk kanë zgjedhje tjetër.
“Kur punon 10-12 orë në ditë dhe çerdhet publike janë të tejmbushura, ndërsa ato private të papërballueshme, çfarë alternative ke përveç gjyshërve?” – shkruan Meço në një reagim të gjatë.
Ajo nënvizoi se mungesa e mbështetjes sociale dhe ekonomike po e kthen prindërimin në një “ndëshkim privat”, ndërkohë që fëmija duhet të konsiderohet një investim publik.
Mes tensionit të diskutimit dhe realitetit të vështirë të mijëra familjeve shqiptare, debati ngre pyetjen thelbësore: a është koha që shteti të ndërhyjë më konkretisht në mbështetjen e familjes, apo mbetet gjithçka në duart e gjyshërve?

