Një aksion i përbashkët i Policisë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka çuar sot në arrestimin e disa zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, mes tyre edhe Florije Kelmendi Selimi – nëna e reperit të njohur kosovar, Ghetto Geasy.
Sipas burimeve zyrtare, ndaj tyre rëndojnë dyshime për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar zhvillimin e aksionit, duke bërë të ditur se veprimet hetimore po kryhen me autorizimin e Prokurorisë kompetente dhe përfshijnë disa persona të dyshuar.
“Sapo të përfundojnë procedurat hetimore, do të jepen më shumë informacione për publikun,” tha Kelani.
Hetimi është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar korrupsionin në institucionet publike të vendit.