Një avion i kompanisë Air India, që kishte si destinacion Londrën, u rrëzua të mërkurën në mëngjes pranë qytetit Ahmedabad, vetëm pak minuta pas ngritjes nga pista. Në bord ndodheshin 242 persona, përfshirë pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit.
Autoritetet e shpëtimit kanë konfirmuar të paktën 30 viktima, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur ose rezultojnë të bllokuar nën rrënoja. Mes pasagjerëve ishin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez – përfshirë 11 fëmijë dhe 2 foshnje.
Ngjarja ndodh në një periudhë të rëndësishme për Air India, që prej vitit 2022 është në pronësi të Tata Group. Kompania po kalon një proces transformimi me qëllimin për t’u rikthyer në skenën ndërkombëtare të aviacionit.
Megjithatë, çështja e sigurisë ajrore mbetet delikate për Air India, e cila është përballur edhe më parë me aksidente të rënda:
- Në vitin 2020, një avion i Air India Express doli nga pista në Kerala, duke shkaktuar 18 viktima.
- Në vitin 2018, një Boeing 737 goditi një mur gjatë ngritjes.
- Ndërsa në vitin 2010, në një nga tragjeditë më të mëdha ajrore në Indi, humbën jetën 158 persona në një aksident në Mangalore.
Hetimet për shkaqet e incidentit të fundit janë në zhvillim.