Rey Manaj reagon për herë të parë pas penalltisë së humbur: Ndjej një dhimbje të madhe

2 Min Lexim

Pas ndeshjes së tensionuar ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, ku Rey Manaj humbi penalltinë e cila do të ishte vendimtare, sulmuesi i kombëtares kuqezi ka bërë për herë të parë një reagim publik. Në një postim në profilin e tij në TikTok, Manaj shpreh dhimbjen dhe keqardhjen e tij për gabimin, duke marrë përgjegjësinë plotësisht.

“Sot ndjej një dhimbje të madhe që nuk mund ta shpjegoj me fjalë. E di sa shumë prisnin shqiptarët nga kjo ndeshje dhe e di sa rëndësi kishte ajo për të gjithë ne,” shkruan Manaj.

Sulmuesi kërkon falje për tifozët, bashkëlojtarët dhe stafin, ndërsa premton se ky moment do t’i shërbejë si motivim për të ardhur më i fortë dhe më i vendosur në të ardhmen.

“Ju kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve shqiptarë, bashkëlojtarëve dhe stafit. Ju siguroj që kjo ndjesi nuk më lë rehat dhe do ta përdor si forcë për të ardhur më i fortë, më i përqendruar dhe më i vendosur. Lojërat nuk mbarojnë këtu. Kemi ende për të dhënë dhe për të luftuar për këtë komb,” përfundon ai.

Rey Manaj gjithashtu falenderon për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe shpreh krenarinë për të veshur fanellën kuqezi: “Nuk ka nder më të madh se të veshësh fanellën kuqezi.”

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente