Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se do të pranojë përkohësisht deri në 50 shtetas nga vende të treta, si pjesë e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi vjen si përgjigje ndaj një kërkese të Washingtonit dhe do të zbatohet gjatë një periudhe njëvjeçare.
Sipas deklaratës zyrtare, personat do të zhvendosen përkohësisht në Kosovë, me qëllim që të lehtësohet më pas rikthimi i tyre i sigurt në vendet e prejardhjes. Qeveria ka theksuar se do të përzgjedhë individët nga një listë e propozuar nga SHBA, duke respektuar standardet për sigurinë, rendin dhe sundimin e ligjit.
“Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara,” thuhet në deklaratë.
Ky veprim konsiderohet si një tjetër dëshmi e partneritetit të ngushtë mes Prishtinës dhe Washingtonit. “Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës,” thekson Qeveria, duke nënvizuar mbështetjen e SHBA-së në proceset integruese euroatlantike të vendit.
Më shumë detaje priten të publikohen në vijim, ndërsa autoritetet kanë garantuar transparencë dhe respektim të të gjitha standardeve ligjore dhe njerëzore në menaxhimin e këtij procesi.