Në një rrëfim të sinqertë dhe plot emocione për “The Dalina Show”, këngëtarja Aurela Gaçe ndau detaje të pathëna më parë nga rrugëtimi i saj muzikor, duke treguar se suksesi nuk ka ardhur pa sakrifica, refuzime dhe lot.
“Fillimisht kënaqesha kur më njihnin në rrugë,” – kujton ajo me një buzëqeshje nostalgjike. “Por kuptova se kjo ndjesi kalon shumë shpejt nëse nuk je vazhdimisht para publikut. Nëse nuk iu shfaqesh, të harrojnë edhe portretin.”
E njohur për energjinë në skenë dhe për zërin unik, Aurela zbulon se rruga drejt skenës nuk ka qenë aspak e lehtë. Në hapat e parë të karrierës, ajo përjetoi një nga zhgënjimet më të mëdha: refuzimin e këngës që kishte përgatitur me pasion për një festival.
“Pas një muaji provash intensive, më komunikojnë që kënga është hequr nga festivali. Dy javë para nisjes. Qava mirë e mirë te shkallët e radios… por nuk e imagjinoja dot të kthehesha mbrapa. Nuk pranoja ‘jo’. E dija që kjo ishte rruga ime dhe do e vazhdoja,” rrëfeu ajo.
Aurela tregoi gjithashtu se pavarësisht sfidave, familja ka qenë përherë krah saj, një shtyllë që i ka dhënë forcë dhe durim për të vazhduar.
Mes emocioneve, mesazhi i saj është i qartë: nëse ke një ëndërr, duhet të jesh gati të luftosh për të. Dhe ndonjëherë, për të arritur dritat e skenës, duhet të kalosh edhe nëpër shkallët e radios, me lot në sy, por me zemër të pathyeshme.