Gazetari Eraldo Harilcaj ka publikuar për herë të parë pamjet e rënda nga dita tragjike që i mori jetën 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u godit me thikë nga një bashkëmoshatar vetëm pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë. I riu nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë në spital.
Në videon e publikuar, gazetari sjell momentet e rënda që rikthejnë ngjarjen disa muaj më parë. Pamjet tregojnë Martin Canin dhe Mario Përlleshajn duke ecur pranë njëri-tjetrit, të ndjekur nga disa shokë të tyre, mes të cilëve edhe Luis Meçaj, miku i Martinit, i cili mbeti gjithashtu i plagosur në atë përplasje të dhunshme.
Sapo grupi hyn në një rrugicë pa kamera sigurie, nis konflikti fizik. Disa çaste më vonë, të gjithë shihen duke vrapuar të alarmuar, ndërsa Martini shihet duke mbajtur dorën në kraharor, i ndjekur nga Mario Përlleshaj me një thikë në dorë.