Publikimi i tezës së maturës në rrjetet sociale, reagon Ministria e Arsimit!

1 Min Lexim

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të tezës së provimit të gjuhës së huaj, ndërkohë që maturantët ndodheshin ende në procesin e testimit. Sipas MAS, ky akt nuk cenon integritetin dhe ecurinë e Maturës Shtetërore 2025.

“Provimi i parë i maturës po zhvillohet në përputhje të plotë me rregulloren dhe me standardet më të larta të sigurisë e transparencës,” thuhet në deklaratë.

Ministria dënon publikimin e tezës dhe thekson se ky veprim nuk ndikon në mbarëvajtjen e procesit, duke vlerësuar punën e palodhur të mësuesve, administratorëve dhe strukturave arsimore që kanë garantuar një proces të rregullt për rreth 27 mijë maturantë në të gjithë vendin.

“Janë marrë të gjitha masat, nga hartimi i testeve me siguri të plotë, te mbështetja psikologjike e nxënësve dhe përforcimi i masave teknike të kontrollit në qendrat e provimit,” vijon më tej reagimi.

Ministria garanton se angazhimi për zhvillimin e një procesi të ndershëm e të barabartë do të vijojë, duke pasur në qendër suksesin dhe të drejtën e çdo maturanti.

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente