Psikologia shqiptare jep shifrat e trishta: 1 në 5 persona në Shqipëri vuajnë nga shëndeti mendor

2 Min Lexim

Në një intervistë për emisionin Top Story, psikologia Valbona Treska foli për situatën e shëndetit mendor në Shqipëri, duke theksuar se pas periudhës së pandemisë Covid-19, rastet e depresionit janë rritur deri në 3-4 herë.

Duke iu referuar një studimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Treska tha se ndërsa globalisht 1 në 7 persona përjeton probleme të shëndetit mendor, në Shqipëri ky raport është më shqetësues, ku 1 në 5 persona rezulton i prekur. Ajo shpjegoi se shumë individë dhe familjet e tyre nuk janë në gjendje ta identifikojnë dot këtë gjendje, ndërsa stigma sociale i bën edhe më të vështirë raportimin e saktë.

“Shqetësuese është edhe mungesa e besimit gjatë plotësimit të pyetësorëve anonimë, që çon në raportime të pasakta,” tha Treska. Ajo theksoi nevojën urgjente për një depistim real të popullsisë për të kuptuar gjendjen e vërtetë të shëndetit mendor në vend.

Psikologia nënvizoi gjithashtu se është rritur ndjeshëm numri i personave që kërkojnë ndihmë në qendrat e shëndetit mendor dhe tek psikologët, një fenomen që nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por është një tendencë globale pas pandemisë. Covid-19, sipas saj, ka lënë pasoja jo vetëm fizike, por edhe psikologjike, duke nxitur ankth dhe ulje të vetëvlerësimit, përfshirë edhe probleme të tilla si rënia e flokëve.

“Ndjesitë e ankthit dhe pasojat psikologjike mund të përshkallëzohen në mënyrë të papritur, ndaj është e rëndësishme që këto çështje të trajtohen me seriozitet,” përfundoi psikologia Treska.

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente