Në prag të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë, që do të zhvillohet më 7 qershor 2025 në orën 20:45 në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, Policia e Shtetit ka bërë publik planin e masave të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj sfide sportive.
Ky plan masash është hartuar me qëllim parandalimin e çdo incidenti të mundshëm dhe për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit, nga futbollistët e ekipeve dhe stafi teknik, deri te tifozët dhe qytetarët e Tiranës.
Masat kryesore të parashikuara nga Policia e Shtetit janë:
- Eskortimi dhe sigurimi i ekipit të Serbisë, duke nisur nga mbërritja në aeroportin e Rinasit, deri në hotel, stadium dhe kthimin për në Rinas pas përfundimit të ndeshjes.
- Eskortimi dhe sigurimi i ekipit shqiptar, gjatë prezencës së tyre në stadium.
- Kontrollet sistematike në mjediset brenda dhe jashtë stadiumit, për të parandaluar hyrjen e personave të paautorizuar, sendeve të ndaluara dhe lëndëve piroteknike.
- Garantimi i rendit publik jo vetëm në zonën e stadiumit, por edhe në gjithë territorin e qytetit të Tiranës, gjatë gjithë kohës së zhvillimit të ndeshjes dhe pas saj.
- Sigurimi i rrugëkalimeve për emergjencat, si dhe menaxhimi i trafikut rrugor në kryeqytet gjatë periudhës së ndeshjes.
Për koordinimin e masave, Policia e Shtetit ka bashkëpunuar me institucione të ndryshme, duke përfshirë Federatën Shqiptare të Futbollit, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë, si dhe strukturat shëndetësore dhe emergjencën mjekësore. Gjithashtu, ka pasur bashkëpunim edhe me personelin e sigurisë të ekipit të Serbisë, për të garantuar standardet më të larta të sigurisë.
Kufizime trafiku dhe organizimi i parkimeve
Për të lehtësuar qarkullimin dhe për të shmangur grumbullimet e panevojshme, më 7 qershor nga ora 15:00 e deri pas përfundimit të ndeshjes, do të aplikohet kufizim i trafikut në disa akse kryesore në afërsi të stadiumit. Më konkretisht, rrugët e kufizuara janë:
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” (nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”),
- Rruga “Papa Gjon Pali II”,
- Rruga “Dervish Hima” pranë Ambasadës së SHBA-së,
- Rruga “Asim Zeneli” pranë Ambasadës së SHBA-së,
- Rruga “Themistokli Gërmenji”,
- Rruga “Gjergj Filipi”,
- Rruga “Lekë Dukagjini” pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi,
- Rruga “Faik Konica” dhe
- Rruga “Skerdilajd Llagami”.
Për tifozët që vijnë nga Korça dhe Elbasani, parkimi i autobusëve do të bëhet në parkingun e lokalit “Kalvin”, ndërsa automjetet private në terminalin pranë qytetit “Studenti”. Tifozët nga veriu dhe jugu do të parkohen në “Terminalin e përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës (autobusët), dhe në parkimin pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri” për automjetet private.
Kontrollet dhe ndalimet e sendeve të rrezikshme
Punonjësit e Policisë do të kryejnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për të parandaluar hyrjen e sendeve të ndaluara si banderola me përmbajtje raciste, fishekzjarre, flakadanë, lëndë piroteknike, monedha metalike, çadra, çakmakë, karikues celularësh, mjete kozmetike dhe sende të tjera të forta që mund të shkaktojnë incidente.
Gjithashtu, Policia apelon që të mos përdoren dronë në zonën e stadiumit, pasi do të përdoren pajisje anti-dronë për të parandaluar fluturimet në këtë perimetër.
Dënimet sipas Kodit Penal për shkeljet në aktivitetet sportive
Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, çdo veprim dhunues gjatë aktiviteteve sportive është i ndëshkueshëm. Hyrja në fushë nga persona të paautorizuar, hedhja e sendeve të forta, përdorimi i lëndëve piroteknike, apo dhuna ndaj sportistëve apo arbitrit dënohen me gjoba ose me burgim, varësisht nga rrezikshmëria e veprës.
Apeli për tifozët dhe sportdashësit
Policia kërkon mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në stadium nga ora 18:00 për të shmangur vonesat për shkak të fluksit të madh. Gjithashtu, apelon që biletat të mos publikohen në rrjetet sociale, pasi ato janë personale dhe të mbrojtura me barcode kundër falsifikimeve.
Në shërbim të sigurisë dhe qetësisë publike
Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës për të garantuar sigurinë, rendin publik dhe për të ofruar ndihmë dhe informacion gjatë gjithë kohës së zhvillimit të ndeshjes. Qëllimi kryesor është që aktiviteti sportiv të zhvillohet pa asnjë incident dhe në respekt të imazhit të vendit.