Dy këngët e bashkëpunimit mes Fifit dhe Eglit, “Shuj Shuj” dhe “Ku je nis”, janë rikthyer në platformën YouTube. Lajmin e ka bërë të ditur Fifi përmes një postimi në InstaStory, ku shkruan: “Back on YouTube / Rikthehet në YouTube.”

Ndryshe nga Fifi, Egli nuk ka bërë asnjë reagim në rrjetet sociale dhe nuk ka shpërndarë këngët në platformat e saj. Po ashtu, ajo nuk ka rikthyer as fotot me Fifin apo pamje nga sheshxhirimi i klipit.
Ende nuk ka asnjë shpjegim zyrtar se përse këngët u hoqën fillimisht nga YouTube. Megjithatë, në rrjet janë përhapur disa teori.
Një pjesë e komentuesve besojnë se fshirja dhe më pas rikthimi i këngëve është bërë për të tërhequr vëmendje. Kjo hipotezë është kritikuar nga ndjekësit e tyre.

Nga ana tjetër, emisioni “Prive” raportoi se bëhet fjalë për një mosmarrëveshje lidhur me ndarjen e fitimeve nga kënga. Sipas këtij raportimi, Fifi është investuar personalisht në realizimin e videoklipit dhe ka kërkuar një përqindje më të lartë të fitimeve.
Një tjetër mundësi është që të ketë ndodhur një problem teknik, por fshirja e fotove nga ana e Eglit e bën më pak të besueshme këtë version.
Deri në këto momente, asnjëra nga artistet nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar mbi situatën.

