Një prej ikonave më të dashura të muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, rikthehet për herë të parë pas shumë vitesh heshtje për të treguar rrëfimin e saj më të sinqertë dhe më të fortë: jetën e jetuar si e pastrehë, larg dritave të skenës dhe vëmendjes publike.
Në një intervistë ekskluzive me gazetarin Blendi Fevziu, që do transmetohet sonte në mbrëmje në “Opinion”, Simaku flet pa filtra për periudhën kur, sipas saj, zgjodhi vetë të largohej nga gjithçka dhe të jetonte në rrugë. “Ishte një zgjedhje ime, nuk isha viktimë. Doja të isha larg gjithçkaje që më kufizonte,” thotë ajo në një fragment të publikuar paraprakisht nga emisioni.

Rrëfimi i saj prek tema të thella si vetmia, liria personale, largimi nga fama dhe përballja me realitetin e ashpër të një jete krejt tjetër nga ajo që njerëzit mund të imagjinonin për një yll të muzikës shqiptare.
Parashqevi Simaku, e njohur për zërin e saj unik dhe sukseset në Festivalin e Këngës në RTSH gjatë viteve ’80, kishte vite që ishte zhdukur nga vëmendja mediatike. Intervista e saj me Fevziun pritet të ndriçojë shumë pikëpyetje që publiku ka pasur për mungesën e saj dhe rrugën që ajo ka zgjedhur.
Mos e humbisni këtë rrëfim të rrallë dhe prekës – sonte, ora 21:00, në “Opinion” me Blendi Fevziun.