Një raport i ri nga Fondi i Popullsisë i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) tregon se bota po përjeton një rënie të theksuar të lindjeve, një fenomen që po nxit shqetësime globale. “Bota po hyn në një epokë të re të rënies së lindjeve”, deklaroi Dr. Natalia Kanem, drejtuese e UNFPA-së.
Studimi, i cili përfshiu 14,000 persona nga 14 vende që përfaqësojnë më shumë se një të tretën e popullsisë botërore, zbulon se presionet ndaj popullsisë janë në rritje. Ndër shqetësimet kryesore renditen: rënia e fertilitetit, plakja e popullsisë dhe mungesa e fuqisë punëtore — ndërkohë që një pjesë e madhe e opinionit publik ende e sheh mbipopullimin si kërcënimin kryesor për planetin.
Të dhënat tregojnë se:
- 23% e të anketuarve kishin kaluar një periudhë kur donin të kishin fëmijë, por nuk ia dolën.
- Më shumë se 40% e tyre përfundimisht hoqën dorë nga dëshira për t’u bërë prindër.
- Gati 13% hasën pengesa konkrete për të pasur fëmijë – përqindje që në disa vende kapërcen 20%.
- Një në pesë persona pranoi se nuk kanë arritur ose nuk presin të kenë numrin e dëshiruar të fëmijëve.
- Tek të anketuarit mbi 50 vjeç, 31% deklaruan se kanë më pak fëmijë sesa kishin dëshiruar.
Ndër arsyet më të zakonshme për këtë situatë është kostoja e lartë e rritjes së një fëmije (39%). Ky shqetësim është veçanërisht i theksuar në Korenë e Jugut (58%) dhe më pak në Suedi (19%).
Infertiliteti u përmend nga vetëm 12% e të anketuarve si arsye për mungesën e fëmijëve, por kjo përqindje ishte më e lartë në disa vende si Tailanda (19%), SHBA (16%) dhe Afrika e Jugut (15%).
Një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon në vendimmarrjen për të pasur fëmijë është mungesa e kohës, një realitet që tregon sfidat e balancimit mes jetës profesionale dhe asaj familjare në shoqëritë moderne.