Nuk është dembelizëm, ka një arsye tjetër pse nuk ju pëlqen palestra!

2 Min Lexim

Nëse çdo të hënë betoheni se do të nisni palestrën, por përfundoni në divan duke parë tavanin – mos u ndjeni fajtorë. Faji nuk është tek ju… por tek evolucioni.

Profesori i Harvardit, Daniel Lieberman, në librin e tij “Ushtrimet: Pse diçka për të cilën nuk kemi evoluar kurrë është e shëndetshme dhe shpërblyese”, argumenton se truri i njeriut nuk është ndërtuar për të dashur aktivitetin fizik. Sipas tij, njerëzit kanë evoluar për të kursyer energji – dhe jo për ta shpenzuar atë pa arsye.

“Trupi yt s’ka problem të vrapojë kur të ndjek një tigër”, shpjegon ai. “Por të zgjohet në 7 të mëngjesit për të bërë yoga? Kjo nuk ishte pjesë e planit evolucionar.”

Në thelb, paraardhësit tanë lëviznin vetëm për të mbijetuar – për të gjuajtur, për të ikur, ose për të kërkuar strehë. Asnjëri prej tyre nuk shkonte “në shpellë për squats”. Kështu që instinkti për të shmangur ushtrimet është i natyrshëm.

Por Lieberman nuk thotë që të mos bëjmë aktivitet fizik – përkundrazi. Ai thekson se edhe pse nuk na vjen natyrshëm, ushtrimet janë të shëndetshme dhe tepër të dobishme për trupin dhe mendjen. Thjesht, është normale të mos ndiejmë gjithmonë dëshirën për t’i bërë.

Prandaj, herën tjetër që dikush ju quan dembel, mjafton të thoni:
“Nuk jam dembel, jam thjesht produkt i evolucionit!”

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente