Operacioni i koduar “Ura”, zhvilluar në bashkëpunim mes Antimafias italiane dhe SPAK-ut, ka çuar në goditjen e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës me bazë në Durrës.
Në total janë lëshuar 51 masa sigurie, ku janë ekzekutuar 40 arrestime, ndërsa në krye të organizatës dyshohet se qëndron Xhevdet Troplini, i njohur si “Poja”. Ndërkohë, drejtimin e aktivitetit kriminal vitet e fundit e kishte marrë nipi i tij, Elvis Doçi, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”, i cili ka mundur t’i shpëtojë arrestimit.
Sipas hetuesve, janë dokumentuar 30 episode të trafikut të drogës në Itali dhe 10 të tjera në Shqipëri dhe vende të tjera të Europës, përmes komunikimeve të dekoduara në platformën Sky ECC, si dhe dëshmive të të penduarve të drejtësisë.
“Syri.net” ka siguruar dokumentet që tregojnë se Elvis Doçi është identifikuar si përdorues i një telefoni të enkriptuar, ndërsa është zbuluar edhe kompania ndërtimi në emër të tij, që dyshohet se përdorej për të përfituar lehtësira shtetërore dhe për të shmangur detyrimet ligjore, si pjesë e skemës për pastrimin e parave.


