Floriana Cani, nëna e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili humbi jetën tragjikisht pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ka reaguar me dhimbje në emisionin “Opinion”, pas publikimit në media dhe rrjete sociale të videos që tregon momentin e ngjarjes.
Ajo tha se ekspozimi i pamjeve ishte një goditje e rëndë emocionale për të dhe familjen, duke theksuar se nuk ishte informuar më parë për publikimin e tyre.
“Të them të drejtën, po mundohemi ta kthejmë dhimbjen në forcë. Por ajo video ishte një tronditje shumë e madhe psikologjike. Nuk e dija që ishte publikuar dhe nuk pata fuqi ta shikoja. Ne kërkojmë drejtësi, asgjë më shumë. Jetojmë me dhimbje dhe nuk dua që ajo video të shfaqet sërish. Është shumë serioze,” – u shpreh ajo.
Më tej, Cani ngriti dyshime të forta për mënyrën se si po trajtohet rasti nga autoritetet, duke lënë të kuptohet se mund të ketë manipulime në hetime.
“Pikëpyetjet janë shumë të mëdha. Ka manipulime në të gjitha drejtimet. Nuk kishte banda atje, ishin fëmijë. Është shumë e lehtë për t’u zbardhur ngjarja,” – tha ajo.
Videoja e publikuar më 10 qershor nga disa media, e cila dokumentonte momentet e rënda të ngjarjes që ndodhi pranë shkollës, ngjalli reagime të shumta në opinionin publik, veçanërisht për etikën e transmetimit të përmbajtjeve të ndjeshme dhe ndikimin e tyre tek familjarët e viktimës.