Tiranë – Ndërpritet përkohësisht numërimi në KZAZ nr. 31, largohen numëruesit e PD-së
Procesi i numërimit të votave në KZAZ nr. 31, që po zhvillohet në ambientet e shkollës “1 Maji” në Tiranë, është pezulluar në katër tavolina, pas largimit të numëruesve të Partisë Demokratike.
Zëvendëskryetari i KZAZ-së, përfaqësues i Partisë Socialiste, u shpreh për News 24 se numëruesit e PD janë larguar për shkak të lodhjes dhe nuk janë zëvendësuar deri më tani. Si pasojë, numërimi po kryhet me vetëm dy përfaqësues – një nga PS dhe një nga PSD – sipas udhëzimeve të KQZ-së.
“Janë larguar numëruesit e PD-së. Ata kanë thënë se janë të lodhur dhe nuk janë zëvendësuar nga të tjerët. Ata punuan deri në orën 07:00 dhe u larguan, thanë se nuk punojnë dot më. Njoftuam për të sjellë numëruesit e tjerë këtu në KZAZ 31 dhe akoma nuk kanë ardhur. Sipas Kodit Zgjedhor, në këto kushte, do punohet me dy numërues, një subjekt i PS dhe një i PSD. Është e lodhshme, por kemi vendim të KQZ, që sot në darkë duhet të mbyllet vota e subjektit politik, për të vijuar me votën e kandidatit. Do presim një njoftim nga KQZ, inspektori që mbulon zonën tonë dhe vijojmë punën”, – tha ai.
Deri më tani janë numëruar 17 kuti, ku rezultatet janë si më poshtë:
- Partia Socialiste – 3,754 vota
- Aleanca për Shqipërinë Madhështore (ASHM) – 1,924 vota
- Mundësia – 328 vota
- PSD – 304 vota
- Nisma Shqipëria Bëhet – 260 vota
- Lëvizja Bashkë – 167 vota
- Koalicioni Euro-Atlantik – 84 vota
- Lëvizja Atdheu – 15 vota