Largimi i papritur i çiftit më të komentuar të “Ferma VIP”, Alba Pollozhani dhe Lim Hoti, u kthye në një nga momentet më të bujshme të këtij edicioni. Mes thashethemesh për shtatzëni dhe spekulimesh për ndarje, dyshja më në fund theu heshtjen.
Të ftuar në një prej prime-ve të fundit të spektaklit, Alba dhe Limi zgjodhën të flasin hapur për herë të parë pas daljes nga loja. E buzëqeshur dhe ironike si gjithmonë, Alba hodhi poshtë zërat për një shtatzëni:
“I kam trinjakë, çuna. Të jenë tropojanë dhe mos jenë çuna?” – u shpreh ajo me humor, duke e shuar një herë e mirë konfuzionin e krijuar në rrjet.
Limi, nga ana tjetër, konfirmoi se lidhja mes tyre po vazhdon edhe jashtë mureve të fermës:
“Qëkur kemi dalë, jemi bashkë: kemi ngrënë bashkë, kemi pirë bashkë, kemi ardhur bashkë dhe bashkë do ikim. Jemi diku me njëri-tjetrin, po kalojmë bukur.”
Për Albën, largimi nga spektakli ishte i menduar dhe i domosdoshëm:
“Kur u futa në Fermë ndodhën disa gjëra në jetën time që nuk i parashikova. Fokusi im u zhvendos nga loja te diçka që për mua kishte më shumë rëndësi se çmimi apo fama,” tha ajo, pa dhënë më shumë detaje.
Nga ana tjetër, edhe Limi e quajti vendimin e tij personal dhe të lidhur me përgjegjësitë që e prisnin jashtë:
“Nuk po duroja dot më, dua të vazhdoj jetën time normale. Kam shumë përgjegjësi jashtë dhe më duhet të merrem me to.”
Gjatë kohës së tyre në fermë, lidhja e Albës dhe Limit ishte në fokus të kamerave dhe mediave, me shumë momente të përqafuara dhe të komentuara. Tani që janë jashtë, duket se të dy po zgjedhin një rrugë më të qetë, larg zhurmës dhe spektaklit – por bashkë.