Regjisori i mirënjohur shqiptar, Leka Bungo, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare, pas një infarkti në zemër. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur vajza e tij përmes një postimi në rrjetet sociale.
Familja njoftoi gjithashtu se ceremonia mortore do të zhvillohet të mërkurën, më 11 qershor, në orën 16:00, në varrezat e Sharrës, ku artisti do të përcillet për në banesën e fundit.
Një jetë në shërbim të artit
Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe është një prej emrave më të rëndësishëm të artit skenik dhe audioviziv shqiptar. Ai përfundoi studimet për aktrim në shkollën “Aleksandër Moisiu” dhe më vonë ndoqi një kurs për regji në Institutin e Lartë të Arteve.
Karrierën e tij e nisi në teatrin “Bylis” në Fier dhe më pas në Estradën e Shtetit, ku spikati me shfaqje me tematikë sociale dhe humor të hollë satirik. Në vitet pas ‘90-ës, Bungo themeloi teatrin privat “Rubairat” pranë Teatrit Kombëtar, si një përpjekje për të sjellë risi në skenën teatrore shqiptare, ndonëse projekti nuk arriti të zgjasë shumë.
Në vitin 2002, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por mbeti i lidhur me botën e artit. Është autor i disa dramave dhe skenarëve filmikë, si “Pabesia” dhe “Pas fasadës”, dhe është kujtuar gjithashtu për rolin e tij si Bardhyli në filmin e njohur “Një djalë edhe një vajzë” (1990).