Messi shpallet zyrtarisht më i miri i historisë së futbollit

2 Min Lexim

Ronaldo jashtë podiumit në renditjen e IFFHS

Pas dekadash debatesh, krahasimesh dhe ndarjesh mes tifozëve të futbollit, Lionel Messi është shpallur edhe zyrtarisht si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave nga Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS). Në renditjen historike të publikuar së fundmi, ylli argjentinas që ka shkëlqyer si me Barcelonën ashtu edhe me kombëtaren, mban vendin e parë duke lënë pas emra legjendarë të futbollit botëror.

Vendin e dytë e zë Pele, ikona braziliane që për dekada ishte simboli i përsosmërisë në futboll. Pas tij renditet një tjetër argjentinas, Diego Maradona, figura që preku majat me Napolin dhe u bë hero kombëtar për “Dorën e Zotit” dhe për magjinë në fushë.

Cristiano Ronaldo, ndër rivalët më të mëdhenj të Messit dhe një prej sportistëve më të suksesshëm të të gjitha kohërave, renditet në vendin e katërt. Edhe pse me një karrierë të jashtëzakonshme dhe me rekorde të shumta individuale, votuesit e IFFHS e vendosën yllin portugez jashtë podiumit.

Vendet e tjera në “Top 10” janë gjithashtu emra të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në histori:

5. Johan Cruyff (Holandë) – arkitekti i “Total Football”,

6. Ronaldo Nazario (Brazil) – fenomeni i papërsëritshëm i viteve ’90 dhe fillimit të 2000-ës,

7. Zinedine Zidane (Francë) – mjeshtri francez me një teknikë elegante dhe trofe madhorë,

8. Franz Beckenbauer (Gjermani) – lideri i padiskutueshëm i “Panzerave”,

9. Alfredo Di Stefano (Argjentinë/Spanjë) – njeriu që ndihmoi në ndërtimin e perandorisë së Real Madridit,

10. Ronaldinho (Brazil) – artisti i fushës, që solli buzëqeshjen dhe magjinë në çdo ndeshje.

Ky renditje përbën një pranim zyrtar të dominimit të Lionel Messit në historinë e futbollit, duke vendosur një pikë mbi diskutimin e përjetshëm mbi “GOAT-in”. Për shumëkënd, kjo nuk është më një çështje mendimi – është fakt.

Shpërndaj këtë artikull