“Makinat e policisë vinin vërdallë, unë e kisha për herë të parë” – Tafani tregon si u thur plani nga Laert Haxhiu për vrasjen e biznesmenit

2 Min Lexim

Një dëshmi tronditëse është dhënë sot në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) nga Artan Tafani, bashkëpunëtor i drejtësisë dhe ish-pjesëtar i grupit kriminal të Laert Haxhiut. Në dëshminë e tij, Tafani ka zbërthyer skemën e vrasjes së Çajup Selimit, një ngjarje e ndodhur në vitin 2018 në Tepelenë.

Sipas Tafanit, urdhri për ekzekutimin e biznesmenit vinte drejtpërdrejt nga Haxhiu, i cili njihej me nofkat “Alufi” dhe “Filja”.

“Ai (Çajupi) u ngjit në kat të parë, pastaj të dytin. Unë isha pas tij. E qëllova nga mbrapa tre herë, një herë në shpatull, dy herët e tjera nuk e di ku e kapën plumbat. Armën e kisha me silenciator, ishte një Zastava ose Beretë e vogël”, dëshmoi Tafani para trupit gjykues.

Pas atentatit, Tafani rrëfeu se kishte ikur me vrap drejt zonës së burgut të Bënçës, duke u fshehur në ferra dhe më pas kishte hedhur armën në lumin Vjosa, ashtu siç kishte qenë planifikuar nga Haxhiu. Më tej ai kishte takuar bashkëpunëtorin tjetër, Ligorin, në shtëpinë e xhaxhait të një bashkëpunëtori tjetër, Erisianit.

“Rrobat i dogjëm në një fuçi, celularët i zhdukëm sipas udhëzimeve të Laertit. Nga Memaliaj morëm një furgon të rastësishëm dhe u nisëm për në Tiranë. Te klubi i shoferit u ndamë. Unë shkova në një hotel në Astir ku ndodhej Laerti me Lulëzim Arapin.”

Për vrasjen, Tafani rrëfen se ka marrë 25 mijë euro një javë pas ngjarjes, ndërsa bashkëpunëtori tjetër, Ligori, nuk është paguar sipas tij.

Dëshmia e Tafanit zbardh jo vetëm ekzekutimin, por edhe përfshirjen e figurave të tjera të grupit kriminal, lëvizjet e tyre pas vrasjes dhe mënyrën sesi kanë shmangur gjurmët. Ai tregon gjithashtu se Laert Haxhiu kishte planifikuar edhe një tjetër atentat në Korçë, ndaj Klisman Xhaferrit, pasi dyshohej se po fliste për “punë malli”.

Hetimet për këtë dosje janë në vijim, ndërsa dëshmia e Tafanit pritet të luajë një rol kyç në zbardhjen e aktiviteteve të grupit kriminal të Laert Haxhiut.

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente