Në Bashkinë e Tiranës ka nisur një valë e re shkarkimesh, teksa kryetarja e komanduar, Anuela Ristani, ka marrë masa të menjëhershme për të larguar një sërë zyrtarësh dhe punonjësish të konsideruar të afërt me kryebashkiakun e arrestuar, Erion Veliaj.
Pas largimit të Sara Goxhajt dhe Alban Dokushit, janë shkarkuar edhe drejtori i Protokollit dhe drejtoresha e Shërbimeve Mbështetëse, së bashku me disa punonjës të tjerë, mes tyre shoferë, sekretare dhe staf teknik që kanë shërbyer prej më shumë se 10 vitesh në institucion.
Këto zhvillime vijnë në një moment kritik për administratën e Bashkisë së Tiranës, e cila ndodhet në qendër të vëmendjes pas ndalimit të Veliajt dhe në pritje të një riformatimi të mundshëm institucional dhe politik. Lëvizjet e fundit sinjalizojnë një distancim të qartë nga e kaluara dhe një tentativë për të rikthyer kontrollin mbi administratën vendore.