Në një sezon veror të mbushur me trende të paparashikueshme, një aksesor i vogël, i çuditshëm dhe mjaft i pazakontë po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në rrugët e modës: Labubu, krijesa me veshë lepurushi, dhëmbë të mprehtë dhe veshje të larmishme, është kthyer në shoqëruesin më “cool” të çantave luksoze Hermès, Louis Vuitton apo Bottega Veneta.
Yje të njohur si Rihanna, Dua Lipa dhe Lisa nga BLACKPINK janë parë duke e mbajtur me vete këtë kukull të pazakontë, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me foto, video dhe “unboxing”-e të Labubu, i cili tashmë ka fituar zemrat e gjithë gjeneratës Z.
Nga mitologjia nordike në çantat e luksit
Labubu nuk është thjesht një lodër. Ai u krijua në vitin 2015 nga artisti hongkongas Kasing Lung, si pjesë e universi artistik “The Monsters”, ku çdo personazh përfaqëson një emocion apo një tipar njerëzor. I frymëzuar pjesërisht nga mitologjia nordike, Labubu është një krijesë e mirë, por shpesh e ngatërruar – që gabon pa dashje.
Kukullat prodhohen në versione të ndryshme dhe shiten si “blind boxes”, çka do të thotë se nuk e di kurrë cilën do të marrësh derisa ta hapësh kutinë – një element që shton emocionin dhe kuriozitetin.
Pse gjithë kjo dashuri për Labubu?
Fenomeni Labubu lidhet me disa tendenca kulturore dhe psikologjike të brezave të rinj:
- Nostalgjia – Brezi që është rritur me anime, kartona dhe lodra në vitet ‘90 dhe 2000 kërkon të rikthejë ndjenjat e lumturisë dhe thjeshtësisë nga fëmijëria.
- Kultura “kidult” – Të rriturit sot nuk kanë më komplekse për të përqafuar lodrat. Tregu i lodrave për të rritur është në rritje të vazhdueshme.
- Elementi i misterit – “Blind box” e bën procesin e blerjes emocionues, ku momenti i hapjes është një burim dopamine.
A janë investim?
Në dukje si një lodër e thjeshtë, por për shumë fansa, Labubu është një objekt koleksionues me vlerë në rritje. Modelet e rralla janë shitur deri në 1,000 paund, ndërsa komuniteti i koleksionistëve po zgjerohet me ritme të shpejta. Marka ka zgjeruar gamën e produkteve me aksesorë si kapëse flokësh, mbështjellës për AirPods apo varëse telefoni, duke ndërtuar një univers të plotë.
Pra, herën tjetër kur të shohësh një kukull me veshë lepurushi dhe dhëmbë të theksuar të varur në një çantë luksi, mos u habit nëse ajo vlen më shumë se çanta vetë.
Sepse në verën 2025, Labubu është më shumë se trend, është simboli i një kulture të tërë.

