Kur askush se priste, Remzie Osmani, Shkurte Fejza dhe Shyhrete Behluli shfaqen së bashku

2 Min Lexim

Një moment që ngjalli vëmendje të madhe në publik dhe median rozë: dy ikonat e muzikës popullore shqiptare, Shyhrete Behluli dhe Shkurte Fejza, u panë sot pranë njëra-tjetrës në Mushtisht, për herë të parë pas shumë vitesh largësie dhe heshtjeje publike.

Të pranishme në ceremoninë e përurimit të Shtëpisë së Kulturës “Afërdita”, në vendlindjen e tyre, në prani të kryetarit të Komunës së Suharekës Bali Muharremaj dhe këngëtares Remzie Osmani, dy artistet ndanë të njëjtin skenë – por jo të njëjtin moment miqësor. Pa përqafime, pa përshëndetje, pa ndonjë shenjë komunikimi. Vetëm një heshtje e zhurmshme që, në fakt, foli më shumë se çdo deklaratë.

Prej vitesh është përfolur për një ftohje mes tyre, e shoqëruar nga spekulime për rivalitete artistike apo përplasje në organizime koncertesh. Asnjëra prej tyre nuk ka dhënë ndonjë shpjegim të drejtpërdrejtë. Shkurta është treguar gjithnjë e rezervuar në intervista, ndërsa Shyhrete ka lënë të kuptohet se marrëdhënia mes tyre “nuk ka qenë kurrë e ngushtë, por pa armiqësi”.

Sot, megjithatë, historia i vendosi përballë – jo për të rikthyer një raport, por ndoshta për të shënuar një kapitull të ri. Asgjë s’u tha, por shumë u kuptua.

Një prani që bëri jehonë në heshtje dhe që, për publikun e gjerë, mban ende një pyetje pezull: a është ky fillimi i një pajtimi të shumëpritur?

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente