Bilanci i veprave penale që prekin zgjedhjet: 87 kallëzime, 34 procedime dhe 7 arrestime
Prokuroritë pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm kanë raportuar 87 kallëzime penale lidhur me vepra që lidhen me procesin zgjedhor, deri më datë 12 maj 2025. Nga këto, janë regjistruar 34 procedime penale dhe janë kryer 7 arrestime në flagrancë.
Kallëzimet janë kryer kryesisht nga policia gjyqësore (49 raste), SPAK (15 raste), subjekte politike (9 raste), në mënyrë të pavarur nga prokuroritë (11 raste) dhe nga qytetarë (3 raste).
Ndër qytetet me numrin më të lartë të kallëzimeve spikasin Tirana (21 raste), Dibra (15), Elbasani (11), Fier (8) dhe Lezha (7).
Procedimet penale të hapura përfshijnë vepra si cenimi i fshehtësisë së votës, korrupsioni zgjedhor, pengimi i zgjedhësit dhe veprime të tjera të ndaluara nga Kodi Penal, përfshirë nenet 325, 326/a, 327, 328, 328/a, 328/b, 329, 329/a, 331/a dhe 332/a.
Në total, janë kërkuar 2 çështje për gjykim – një në Dibër me një të pandehur dhe një në Gjirokastër me kërkesë për pushim.
Gjithashtu, janë urdhëruar 4 ndalime nga Prokuroria e Elbasanit, ndërsa 12 kallëzime janë mbyllur me vendim për mosfillim hetimesh. 6 kallëzime dhe 2 procedime janë përcjellë për kompetencë në SPAK.
Aktualisht, shumica e kallëzimeve të mbetura janë në fazë verifikimi.