Kreu i Stomatologëve në pranga për korrupsion dhe shpërdorim

2 Min Lexim

Me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Nikoll Deda, ish-President i Urdhrit të Stomatologëve të Shqipërisë. Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale: “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, sipas neneve 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal.

Sipas hetimeve, Deda dyshohet se ka rritur në mënyrë të pajustifikuar buxhetin e institucionit që ai drejtonte, duke e çuar nga 38.5 milionë lekë në vitin 2020 në mbi 125 milionë lekë në vitin 2022, përmes blerjes së një godine dhe investimeve të tjera. Dyshohet se rritja e buxhetit është përdorur për përfitime personale dhe shpërdorim të fondeve publike.

Denoncimi është bërë nga shtetasi A.G. pranë Seksionit të Hetimit të Krimeve Ekonomike e Financiare, ndërsa gjatë hetimeve është evidentuar edhe punësimi i familjarëve dhe personave të afërt të Dedës, me qëllim kontrollin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar që nga viti 2016.

Gjithashtu, ai dyshohet se është përpjekur të shmanget nga hetimi penal dhe ka pasur sjellje aktive për përqendrimin e kompetencave në mënyrë të paligjshme, pavarësisht se ndaj tij po zhvillohet një tjetër proces gjyqësor.

Prokuroria kërkoi masën e arrestit për shkak të rrezikut të largimit, si dhe për të mos penguar hetimet dhe administrimin e provave.

Shpërndaj këtë artikull