Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunit në Shqipëri!

2 Min Lexim

Shqipëria ka konfirmuar zyrtarisht rastin e parë të infektimit me virusin mpox, i njohur ndryshe si lia e majmunit. Bëhet fjalë për një 30-vjeçar, i cili kishte udhëtuar në vende ku ky virus qarkullon më gjerësisht – udhëtim që dyshohet të jetë edhe burimi i infektimit.

Sipas burimeve mjekësore, pacienti ndodhet në monitorim dhe nuk raportohet për përhapje të mëtejshme. Instituti i Shëndetit Publik ka nisur hetimet epidemiologjike dhe ndjek nga afër situatën.

Çfarë është mpox?

Mpox është një sëmundje virale që shfaqet me simptoma si temperaturë, dhimbje muskujsh, lodhje dhe skuqje të lëkurës, të cilat më pas shndërrohen në puçrra me kore. Shfaqjet më të zakonshme janë në fytyrë, duar dhe zonat intime.

Si transmetohet?

Virusi përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëkurën e një personi të infektuar, përfshirë marrëdhëniet intime, si dhe përmes rrobave apo tekstileve të ndotura (çarçafë, peshqirë, veshje).

Sa i rrezikshëm është?

Edhe pse mpox është një sëmundje e trajtueshme, kërkon kujdes të veçantë dhe izolim për të parandaluar përhapjen. Format më të rënda rrezikojnë sidomos personat me sistem imunitar të dobësuar dhe fëmijët.

Institucionet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, veçanërisht pas udhëtimeve në zona me qarkullim aktiv të virusit, si dhe të kontaktojnë mjekun për çdo shenjë të dyshimtë.

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente