Konfirmohet rasti i parë i murtajës tek dhitë në Shqipëri. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njoftoi se rasti është zbuluar në një fermë në Postribë të Shkodrës.
Analizat laboratorike të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë kanë konfirmuar praninë e virusit PPR, që shkakton murtajën tek kafshët e imta. Pas identifikimit të rastit, janë marrë masa të menjëhershme për izolimin dhe menaxhimin e situatës.
Autoritetet u bëjnë thirrje fermerëve që të respektojnë masat parandaluese dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve brenda dhe jashtë fermave. Në rast të simptomave të dyshimta, si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hundët, inflamacion i syve, humbje oreksi, diarre apo ngordhje të papritur, rekomandohet njoftimi i menjëhershëm i Shërbimit Veterinar Rajonal ose kontaktimi i numrit falas 0800 3366.
Murtaja e dhive nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.