Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, 82 vjeç, është diagnostikuar me një formë agresive të kancerit të prostatës, njoftoi zyra e tij të dielën.
Sipas deklaratës zyrtare, sëmundja ka avancuar dhe është metastazuar në kocka – një zhvillim serioz që përfaqëson një fazë të avancuar të kancerit. Lajmi vjen vetëm një javë pasi një “nodul i vogël” u zbulua gjatë një kontrolli rutinë.
“Javën e kaluar, Presidenti Biden u ekzaminua pas shfaqjes së simptomave urinare. Të premten, ai u diagnostikua me kancer të prostatës me rezultat Gleason 9 (Grupi 5), me përhapje në kocka,” thuhet në deklaratë. Ky është rezultati më i lartë në sistemin e vlerësimit të këtij kanceri, duke treguar një formë shumë agresive të sëmundjes.
Megjithatë, mjekët kanë theksuar se kanceri i zbuluar është hormon-sensitiv, çka hap rrugë për trajtime që mund të jenë efektive në ngadalësimin e përparimit të tij.
Zyra e Biden-it njoftoi gjithashtu se ai dhe familja e tij janë në konsultim të vazhdueshëm me ekipin mjekësor për të shqyrtuar të gjitha opsionet e trajtimit.
Biden, presidenti më i moshuar në historinë e SHBA-së, u tërhoq pak muaj më parë nga gara për rizgjedhje në vitin 2024, për shkak të shqetësimeve në rritje mbi shëndetin dhe moshën e tij. Kandidaturën demokrate e mori zyrtarisht ish-zëvendëspresidentja Kamala Harris.