Ajo që fillimisht u njoftua si një “evakuim i rregullt” nga ambasada amerikane në Bagdad, ka marrë përmasa më të gjera: SHBA ka autorizuar largimin e personelit jo-thelbësor edhe nga ambasadat në Kuvajt dhe Bahrein. Pentagoni ka lejuar gjithashtu largimin vullnetar të familjarëve të trupave amerikane të vendosura në rajon.
Sipas burimeve të agjencisë Reuters, ky veprim lidhet me “rritjen e rreziqeve për sigurinë”, ndonëse nuk jepen detaje konkrete mbi natyrën apo burimin e këtyre kërcënimeve. Vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te Irani, pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka shprehur mosbesim ndaj gatishmërisë së Teheranit për të ndalur pasurimin e uraniumit.
Ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, ka paralajmëruar se, në rast të një sulmi të mundshëm, Irani do të godasë bazat amerikane në rajon. Paralajmërimet kanë detyruar Britaninë të lëshojë një udhëzim për anijet tregtare që kalojnë në ngushticat strategjike afër zonës.
Ndërkohë, në prapaskenë zhvillohen bisedime të ndjeshme mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit Trump. Mediat izraelite raportojnë se Netanyahu ka kërkuar mbështetjen e Uashingtonit për një sulm të mundshëm ndaj objekteve bërthamore iraniane – çka ngre pikëpyetje nëse tërheqja e diplomatëve është pjesë e një përgatitjeje më të gjerë ushtarake.
Presidenti i sapozgjedhur iranian Masoud Pezeshkian ka siguruar se Irani “nuk synon të prodhojë armë bërthamore”, ndërsa IAEA ka paralajmëruar se vendi zotëron tashmë uranium të mjaftueshëm për ndërtimin e dhjetë kokave bërthamore – edhe pse përpunimi i tyre do të kërkojë kohë.
Në anën tjetër, situata në Gaza mbetet dramatike. Izraeli konfirmoi vrasjen e dy pengjeve të mbajtura nga Hamasi, ndërsa numri i palestinezëve të vrarë është mbi 55 mijë. Pamje të reja nga zonat e shpërndarjes së ndihmave humanitare tregojnë turma të dëshpëruara, dhe raportime të pakonfirmuara flasin për rreth 60 civilë të vrarë pranë një pike ndihme, pas ndërhyrjes së ushtrisë izraelite që deklaroi se “ushtarët ndiheshin të kërcënuar”.
Në këtë atmosferë shpërthyese, çdo lëvizje në terren dhe diplomaci përbën një hap të rrezikshëm drejt përshkallëzimit.