Reality show-i më i ndjekur në vend, “Big Brother VIP Kosova”, do të rikthehet me një sezon të katërt. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga drejtuesit e formatit, Alaudin Hamiti dhe producentja Olsa Muhameti, gjatë një konference ndërkombëtare të mbajtur në Gjermani.
Hamiti bëri të ditur se përgatitjet për sezonin e ri tashmë kanë nisur, duke theksuar se ky edicion do të sjellë “shumë inovacione dhe vetëm risi”. Megjithatë, nuk është publikuar ende data zyrtare e nisjes apo detaje të tjera për formatin.
Nga ana e saj, Olsa Muhameti u shpreh krenare për përfaqësimin e Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare:
“Kosova, një shtet i vogël, është përmendur dinjitetshëm përmes një formati kaq të suksesshëm si Big Brother VIP Kosova. Është emocionuese që përmes këtij programi, kemi qenë pjesë e një tavoline të rëndësishme me shtete të mëdha.”
Muhameti vuri në dukje gjithashtu përfshirjen e teknologjisë së avancuar dhe inteligjencës artificiale në sezonin e fundit, duke përmendur historinë e Vullnetit dhe Burimit si një shembull të qasjes moderne që ka ndjekur produksioni.
Publiku tashmë pret me padurim rikthimin e spektaklit, i cili premton të sjellë një tjetër sezon të paharrueshëm.
