Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht grumbullimin në prag të dy përballjeve të rëndësishme në kuadër të kualifikueseve për Botërorin “2026”, ku kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Serbinë dhe më pas me Letoninë.
Pasditen e sotme, skuadra do të zhvillojë seancën e parë stërvitore, ndërsa në konferencën për shtyp dolën mbrojtësi Elseid Hysaj dhe mesfushori Qazim Laçi. Të dy futbollistët theksuan rëndësinë e sfidës me Serbinë, por njëkohësisht kërkuan qetësi dhe përqendrim maksimal, duke e konsideruar këtë një përballje sportive dhe jo një çështje politike.
Hysaj: “Serbia, kundërshtar direkt. Të qëndrojmë të qetë dhe profesionistë”
Elseid Hysaj deklaroi se përballja me Serbinë është vendimtare për objektivin drejt vendit të dytë në grup dhe për kualifikimin në Botëror. Ai theksoi se futbollistët duhet të qëndrojnë larg ndikimeve politike dhe të përqendrohen vetëm në fushën e lojës.
“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme sepse Serbia është kundërshtari ynë direkt. Marrëdhëniet mes vendeve nuk janë çështje për futbollistët, ne duhet të fokusohemi në lojën tonë dhe të japim maksimumin. Është një sfidë që duhet ta fitojmë me zemër e shpirt,” – tha Hysaj.
Mbrojtësi shtoi se presioni ekziston, por është i natyrshëm dhe mund të kthehet në motivim për skuadrën. Ai rikujtoi edhe ndeshjen e vitit 2014, duke nënvizuar se ajo nuk duhet të përsëritet, pasi dëmton imazhin e futbollit.
Laçi: “Do të japim zemrën në fushë, por duhet të ruajmë qetësinë”
Edhe mesfushori Qazim Laçi u shpreh i bindur për rëndësinë e ndeshjes me Serbinë, por kërkoi që emocionet të lihen jashtë fushe dhe gjithçka të trajtohet me profesionalizëm.
“Është një sfidë e fortë, jemi në shtëpinë tonë dhe kemi mbështetjen e tifozëve. Do të përgatitemi mirë fizikisht dhe sidomos mentalisht. Nëse jemi të fortë në mendje, do të jemi edhe në trup,” – deklaroi Laçi.
Ai theksoi se Shqipëria nuk duhet të nënvlerësojë as Letoninë, pavarësisht se kjo ndeshje vjen pas asaj me Serbinë. Sipas tij, suksesi në të dyja sfidat është i domosdoshëm për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
Trajneri Silvinjo dhe mbështetja e tifozëve
Futbollistët folën me vlerësim për trajnerin Silvinjo, i cili – sipas tyre – po mundohet të mbajë grupin të qetë dhe të fokusuar te ndeshja. Ndërkohë, u drejtuan edhe një thirrje tifozëve shqiptarë për mbështetje dhe korrektësi në sjellje gjatë përballjes me Serbinë.
“Tifozët kanë qenë gjithmonë pranë nesh dhe na kanë mbështetur me zemër. Besoj se edhe këtë herë do të jenë korrektë dhe do të krijojnë një atmosferë pozitive në stadium,” – tha Laçi.