Në një konferencë të përbashkët nga ambientet e SPAK, Altin Dumani, Kryeprokurori i SPAK, së bashku me Kryeprokurorin e Barit, Roberto Rossi, Drejtorin e Antimafias italiane, Gjeneral Michele Carbone, dhe përfaqësuesin për Eurojust për Italinë, Gianluca Forlani, prezantuan rezultatet e operacionit të përbashkët të koduar “Ura”.
Roberto Rossi vuri në dukje se mafia shqiptare është një kërcënim serioz ndërkombëtar, por shprehu besimin se populli shqiptar do ta luftojë këtë “kancer” përmes bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve.
Altin Dumani theksoi se gjatë operacionit është goditur një nga grupet kriminale më të fuqishme në Shqipëri, të dyshuara për trafik ndërkombëtar të drogërave të rënda dhe pastrim parash.
“Ky operacion shënon një tjetër hap të rëndësishëm në luftën tonë të përbashkët kundër krimit të organizuar. Bashkëpunimi profesional dhe i përkushtuar mes SPAK dhe autoriteteve italiane është dëshmi e suksesit tonë. Falënderoj BKH-në, Policinë e Shtetit dhe partnerët tanë italianë për kontributin e tyre,” tha Dumani.

