Gjykata Kushtetuese reagon pas deklaratave të Ramës dhe Berishës për padinë mbi rritjen e pagave të gjyqtarëve

2 Min Lexim

Gjykata Kushtetuese ka reaguar zyrtarisht pas komenteve publike të kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët janë shprehur kundër padisë së ngritur nga gjyqtarët për rritjen e pagave. Kjo padi është kaluar tashmë për shqyrtim në seancë plenare.

Në deklaratën e saj, Gjykata thekson se mbetet e pavarur në ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe se nuk ndikohet nga deklaratat publike të përfaqësuesve të pushteteve të tjera apo nga mediat.

“Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.”

Gjykata rithekson se, ndonëse vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, çdo përpjekje për të ushtruar ndikim apo për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj përbën një cenim serioz të parimeve të shtetit të së drejtës dhe të ndarjes së pushteteve:

“Është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër edhe çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje.”

Ky reagim vjen në një moment kur debati mbi rritjen e pagave të gjyqtarëve ka ndezur polemika politike dhe publike, duke vendosur në fokus marrëdhëniet mes pushteteve dhe rolin e pavarur të gjyqësorit në një shtet demokratik.

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente