Pas një vale denoncimesh për shantazh, mos-shlyerje pagash dhe akuzash për evazion fiskal ndaj grupit të Ram Gecit, drejtoria e Tirana International Hotel ka nisur një “fushatë mesazhesh” kundër ish-punonjëseve të saj në departamentin e eventeve. Mesazhet, të dërguara drejtpërdrejt klientëve dhe bizneseve me të cilat bashkëpunojnë, përmbajnë akuza të rënda që i cilësojnë ish-punonjëset si përgjegjëse për dëmtim dhe keqpërdorim të pajisjeve të kompanisë.
Disa prej bizneseve që kanë marrë mesazhet në fjalë kanë reaguar ashpër, duke e dënuar si të padrejtë dhe denigruese akuzat e drejtorisë së hotelit.
Një prej tyre tha për redaksinë e medias sonë:
“Sa keq që një hotel i tillë përmasash përdor çdo lloj forme për të denigruar figurën e punonjësve, e sidomos të zonjave të cilat kanë ofruar shërbim cilësor dhe korrekt klientëve që kanë zhvilluar eventet aty.”
Ndërkohë, një bashkëpunëtor i hershëm i hotelit shprehu zhgënjim për sulmin ndaj stafit:
“Ja bashkëpunëtor ndër vite i Tirana International Hotel. Këto janë mesazhe denigruese ndaj stafit me të cilin nga ana jonë ka qenë marrëdhënie korrekte dhe profesionale. Punën dhe karakterin e atyre zonjave të nderuara nuk e venitet një SMS në telefonin tonë.”
Këto mesazhe vijnë pak pasi media jonë denoncoi akuzat për shantazh ndaj punonjësve dhe abuzime financiare në hotelin që drejtohet nga Ram Geci, ku punonjësit denoncuan pagesa të dyfishta, mos-pagim të pagave dhe punonjës të pasiguruar.
Ky zhvillim i ri ngre pyetje rreth klimës së brendshme në Tirana International Hotel dhe mënyrës sesi menaxhohen konfliktet dhe mosmarrëveshjet në këtë institucion.
Mesazhet i gjeni më poshtë!



