Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka ngritur akuza të forta ndaj Partisë Socialiste lidhur me procesin zgjedhor, duke pretenduar se janë blerë mijëra karta identiteti për të penguar pjesëmarrjen e qytetarëve në votime.
Në një prononcim për Syri TV, Noka përmendi një rast konkret nga zona e Selenicës në Vlorë, ku sipas tij, një grup votuesish të djathtë nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje pasi u janë ofruar para për të qëndruar në shtëpi.
“Këta kanë blerë dhjetëra mijëra karta, që njerëzit të rrinin në shtëpi. Më thoshte një miku im, kryetar i një dege në Selenicë, po e pyesja për një fshat që unë i njoh që janë të djathtë ekstrem. I thashë si shpjegohet? Flamur – më tha – i thirra gjithë ditën në telefon, nuk më erdhën në votime. Kur nesër takova një nga anëtarët e fisit. Flamur – tha – më erdhën dhe me dhanë 10 mijë euro, nuk më kërkuan votën, më thanë rri në shtëpi. Ku i kam parë unë 10 mijë, ndonjëherë. 10 mijë euro për të gjitha kartat e fisit,” deklaroi Noka para gazetarëve.
Ai e cilësoi këtë si një nga mënyrat më të ulëta për të ndikuar në rezultatin zgjedhor, duke shtuar se PD do të vijojë denoncimet për raste të tilla në të gjithë vendin.