Deputeti i Partisë Demokratike, Dash Sula, ka rrëmbyer vëmendjen gjatë një interviste në emisionin “Real Story” me Sokol Ballën, jo për ndonjë analizë të thelluar politike, por për një deklaratë që u prit me të qeshura dhe habi nga të pranishmit.
Duke folur për figurat e njohura të politikës shqiptare dhe rrugëtimin e tyre profesional, Sula “hodhi bombën” kur u ndal tek kolegu i tij Flamur Noka. Me një ton ironik tha:
“Po mirë, për çfarë flasim këtu? Flamur Noka ka qenë punëtor skene, o Balla! Punëtor skene, e jo vetëm kaq… ishte dhe brigadier! Edhe materialet i merrte të gatshme”
Deklarata u prit fillimisht me një pauzë të sikletshme, por më pas shpërtheu në të qeshura, ndërsa vetë Sula vijoi me stilin e tij cinik:
“Ai merrte materialet të gatshme, thjesht i vendoste në vend. Tani do më flas për parime politike…”
Për të mos e lënë me aq, Sula la të kuptohej se disa figura politike në Shqipëri “kanë bërë karrierë më shumë nga rastësitë sesa nga meritat”, duke e përdorur shembullin e Nokës si ilustrim të kësaj ideje.
Reagimet në rrjet nuk kanë munguar. Disa e kanë parë deklaratën si një goditje personale, të qëllimshme, në një kohë tensionesh të brendshme në PD. Të tjerë, më humor, kanë shpërndarë meme dhe batuta për “brigadierin e skenës që u bë skenograf i politikës”.
Nga ana e tij, Flamur Noka ende nuk ka reaguar për këtë thumbim publik – ndoshta duke përgatitur një “skenar” kundërpërgjigjeje. Deri atëherë, deklarata e Sulës mbetet një nga momentet më cinike dhe zbavitëse të politikës së ditëve të fundit.

