Nga Apostrofi
Ka humbje të heshtura dhe ka humbje madhështore — ato që mbajnë zhurmën më gjatë se rezultatin. Në këtë të fundit, Flamur Noka është mjeshtër.
Pasi u përball me një disfatë të qartë dhe të padiskutueshme, me një solemnitet heroik që sfidon logjikën, ai u rishfaq në skenën publike jo për të pyetur çfarë nuk shkoi, por për të përsëritur një narrativë që, për shumicën e shqiptarëve, është bërë e pakuptimtë nga përdorimi i tepërt.
Por a dyshon Flamur Noka?
Jo në publik. Jo në studio televizive të rregulluara për të amplifikuar dramën. Jo në rrjetet sociale ku çdo status është një marshim imagjinar drejt një lloj “Shqipërie Madhështore”.
Por ndoshta — vetëm ndoshta — në orët e vona të natës, kur ekrani është fikur, fjala ka heshtur dhe vetmia është më e sinqertë se çdo aleat. Ndoshta atëherë, për një çast të vogël, por të ndjeshëm, mendja e tij kalon në territorin e rrezikshëm të dyshimit:
◦ “Po sikur ‘ata’ nuk më duan më, po sikur ‘ata’ nuk m’a duan më as Babën Sali… Jo jo, ça paskam sot”
Ky është një moment i vështirë për çdo politikan — një përballje intime me të vërtetën. Sepse kërkon më shumë guxim të pranosh se je refuzuar nga votuesit, sesa të shpallësh se je përndjekur nga sistemi.
Në vitin 2025, qytetari shqiptar nuk është më spektator i një teatri absurd ku çdo humbje dramatizohet si akt heroik. Njerëzit nuk janë më të impresionuar nga zëra të lartë e fjalë të mëdha. Ata kërkojnë ide konkrete, përfaqësim dinjitoz dhe qasje bashkëkohore ndaj qeverisjes. Thirrjet e lodhura për “regjim” nuk i tundin më, sepse ata e dinë që rrënjët e humbjes nuk janë gjithmonë jashtë — shpesh janë brenda.
Flamur Noka, sot, nuk është më një rrezik për pushtetin, por një kujtesë e zbehtë për të shkuarën e opozitës. Një figurë që i përket një epoke ku revolta shitej si vizion dhe humbja si heroizëm. Ai nuk kërkon më vota, por nostalgji. Nuk ofron më rrugëdalje, por vetëngushëllim.
Dhe ndoshta kjo është pjesa më e dhimbshme e të vërtetës së tij.
Fatkeqësisht, brenda Partisë Demokratike, të gjithë janë nga pak Flamur.
