Dosja “Black Eagle” e SKY ECC: Zbulohet roli i pastrimit të parave në Shqipëri

3 Min Lexim

Në Gjykatën e Apelit të Brukselit po shqyrtohet çështja e njërit prej të dyshuarve në rastin “Black Eagle”, i akuzuar për pastrim parash në një rrjet trafikimi droge ndërkombëtar. Avokatët mbrojtës kanë argumentuar se ndjekja penale ndaj klientit të tyre është e papranueshme, duke theksuar se dosja është e paplotë dhe bazuar në dokumente me përkthime të pasakta, të siguruara nga dosje të hapura jashtë vendit, në Itali dhe Spanjë.

Në këtë çështje, 34 persona po hetohen për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që ka trafikuar kokainë midis Amerikës Latine dhe Evropës gjatë periudhës 2018-2020. Sipas avokatëve, klienti i tyre, një person rreth 60-vjeçar me pasuri të paluajtshme në Shqipëri dhe Itali, dyshohet për rol ndërmjetësi në pastrimin e parave të drogës, por nuk ka prova të mjaftueshme për të dëshmuar fajësinë e tij.

Një nga mbrojtëset, Lucrezia Notarrigo, kërkoi që Gjykata të aplikojë parimin “non bis in idem” – që ndalon gjykimin dy herë për të njëjtat fakte – duke kujtuar se klienti i saj, Gazmir V., është dënuar më parë në Antuerp për trafikim droge. Ajo argumentoi se aktet penale në rastin “Black Eagle” janë të lidhura ngushtë me atë dënim të mëparshëm dhe për këtë arsye procedurat duhet të shpallen të papranueshme.

Gjithashtu, mbrojtja u bazua në të dhënat telefonike që sipas tyre dëshmojnë se Gazmir V. nuk ka vazhduar aktivitetet kriminale pas arrestimit të parë dhe nuk ka lidhje me organizatën kriminale në hetim.

Në të njëjtën seancë u dëgjua edhe deklarata e Ilir L., i cili dyshohet për menaxhimin e garazheve ku ruheshin automjetet dhe kimikatet e përdorura në trafikun e kokainës. Ai mohoi njohjen e natyrës së paligjshme të aktivitetit dhe pretendoi se u largua nga kompania sapo zbuloi problemet.

Dosja “Black Eagle” përfshin emrat e disa shqiptarëve dhe kosovarëve të dyshuar si pjesë e rrjetit të trafikut të kokainës, si dhe lidhje me zyrtarë të korruptuar në Shqipëri, ku përmendet edhe një orë luksoze me vlerë 400 mijë euro si ryshfet dhe takime në Antilet Holandeze për leje ndërtimi në Tiranë.

Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente