Deklarata e plotë/Samiti në Hagë, NATO miraton planin e ri të shpenzimeve për mbrojtjen

2 Min Lexim

Aleatët e NATO-s kanë miratuar një plan të ri ambicioz për forcimin e mbrojtjes kolektive, duke u zotuar të investojnë deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) çdo vit deri në vitin 2035. Vendimi u bë publik në përfundim të Samitit të Hagës, ku krerët e shteteve dhe qeverive riafirmuan angazhimin për sigurinë euroatlantike dhe nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit – se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve.

Sipas planit të ri, të gjitha vendet anëtare do të dorëzojnë plane vjetore që tregojnë një rrugë të qartë dhe të qëndrueshme drejt arritjes së objektivit prej 5%. Një rishikim i progresit do të kryhet në vitin 2029, bazuar në rrethanat strategjike të asaj kohe.

Shpenzimet do të ndahen në dy kategori kryesore:

  • 3.5% e PBB-së do të shkojë për përmbushjen e objektivave të mbrojtjes dhe përforcimin e kapaciteteve ushtarake.
  • 1.5% e PBB-së do të përdoret për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, rrjeteve, inovacionit, qëndrueshmërisë civile dhe industrisë së mbrojtjes.

Deklarata përfshin gjithashtu mbështetje të qëndrueshme për Ukrainën, duke theksuar se “siguria e saj kontribuon në sigurinë tonë”. Megjithëse Rusia nuk përmendet drejtpërdrejt, dokumenti e cilëson si një kërcënim afatgjatë për sigurinë euroatlantike, krahas sfidave të tjera si terrorizmi.

Aleatët shprehën gjithashtu angazhimin për të forcuar bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, për të eliminuar barrierat tregtare mes vendeve anëtare dhe për të shfrytëzuar teknologjitë e reja në funksion të sigurisë kolektive.

Takimi i radhës i liderëve të NATO-s do të mbahet në Turqi në vitin 2026, ndërsa një tjetër samit është planifikuar të zhvillohet në Shqipëri.

ETIKETA:
Shpërndaj këtë artikull
Pa Komente