
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë një deklaratë të fortë dhe të qartë lidhur me procesin e numërimit të votave preferenciale, duke iu drejtuar me një apel të veçantë anëtarëve të grupeve të numërimit dhe të KZAZ-ve. Ai ka kërkuar respektimin strikt të ligjit dhe ka paralajmëruar masa të ashpra për çdo tentativë për manipulim të votës së kandidatëve në listat e hapura.
–
Në deklaratën e tij, Celibashi theksoi se cënimi i votës së kandidatëve përbën “një shkelje të rëndë të integritetit zgjedhor” dhe se çdo përgjegjës do të përballet me pasoja serioze ligjore.
“Dëshirojmë të sjellim në vëmendje të të gjithëve se cënimi i votës së çdo kandidati në listën ‘e hapur’ përbën një shkelje të rëndë të integritetit zgjedhor dhe sjell pasoja ligjore serioze për përgjegjësit,” u shpreh Celibashi.
Ai sqaroi se ligji ndalon rreptësisht rivlerësimin e votave që janë shprehur vetëm për partinë apo koalicionin, në një kohë kur ka filluar numërimi për kandidatët. Sipas tij, këto fletë votimi duhet të ruhen në një zarf të veçantë dhe nuk duhet të përfshihen në procesin e rivlerësimit për kandidatët.
Çdo shkelje e këtij rregulli do të konsiderohet si tentativë për të manipuluar rezultatin zgjedhor dhe do të ndiqet me masa të rrepta ligjore,” paralajmëroi ai.
Komisioneri Shtetëror nënvizoi gjithashtu se KQZ ka në dispozicion filmimet e procesit të numërimit për të gjitha KZAZ-të, si një instrument kontrolli dhe transparence në funksion të zbatimit të ligjit.
Deklarata e plotë:
Për anëtarët e grupeve të numërimit dhe të KZAZ-ve
Duke falënderuar të gjithë anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave dhe të KZAZ-ve që po e kryejnë detyrën me profesionalizëm, në përputhje me ligjin dhe udhëzimet e KQZ-së, dëshirojmë të sjellim në vëmendje të të gjithëve:
Cënimi i votës së çdo kandidati në listën “e hapur” përbën një shkelje të rëndë të integriteti zgjedhor e që sjell pasoja ligjore serioze për përgjegjësit.
Në këtë kuadër, rikujtojmë se është e ndaluar të bëhet një rivlerësim i votave për partitë politike apo koalicionet, tani që ka filluar procesi i numërimit dhe i vlerësimit të votave për kandidatët në listën “e hapur”.
Ligji përcakton qartë se, fletët e votimit, në të cilat vota është shprehur vetëm për partinë apo koalicionin, ruhen në një zarf të veçantë dhe nuk i nënshtrohen rivlerësimit gjatë procesit të numërimit dhe të vlerësimit të votave për kandidatët.
Çdo shkelje e këtij rregulli do të konsiderohet si tentativë për të manipuluar rezultatin zgjedhor dhe do të ndiqet me masa të rrepta ligjore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve disponon filmimet e procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave për partitë dhe koalicionet për të gjitha KZAZ.